Në autostradën Tiranë–Durrës, prej disa ditësh është hapur plotësisht qarkullimi në segmentin me katër korsi, nga Casa Italia deri në kilometrin e 6, pranë mbikalimit të Rinasit, duke lehtësuar ndjeshëm hyrje-daljet drejt kryeqytetit.
Kryeministri Edi Rama inspektoi pak ditë më parë përfundimin e punimeve, ndërsa ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi, bëri të ditur se tashmë do të nisë faza e tretë e projektit, që parashikon zgjerimin e rrugës nga mbikalimi i Rinasit deri te ai i Laknasit.
Sipas ministrit, në këtë segment ku krijohet një ngushtim dhe përqendrim i trafikut pas shpërndarjes nga katër korsitë e reja, do të ndërhyhet me hapjen e lidhjeve dhe rrugëve ndihmëse për të shmangur bllokimet. Punimet do të nisin me çmontimin e mbikalimit ekzistues të Rinasit dhe ndërtimin e hyrje-daljeve dhe rampave të reja drejt aeroportit.
Megjithatë, pavarësisht hapjes së korsive të reja, situata e trafikut mbetet problematike dhe nuk ka shënuar përmirësim të dukshëm.
Sot, një qytetar që udhëtonte me motor ka dokumentuar trafik të rënduar nga Astiri deri në autostradë, ku edhe korsia e emergjencës rezulton e bllokuar nga trafiku.
Në këto kushte, lind natyrshëm pyetja nëse ky investim i ri është i mjaftueshëm për të përballuar fluksin aktual të mjeteve, edhe në një ditë pushimi si 1 Maji, mbetet për t’u parë se si do të menaxhohet trafiku gjatë sezonit të verës, kur lëvizjet rriten ndjeshëm për shkak të emigrantëve dhe turistëve.