Një shënim vetëvrasjeje, që dyshohet se është shkruar nga financieri Jeffrey Epstein, ka mbetur i vulosur në një gjykatë federale në Nju Jork për afro shtatë vite.
Sipas The New York Times, dokumenti u zbulua në korrik 2019 nga i burgosuri Nicholas Tartaglione, vetëm pak ditë pasi Epstein u gjet pa ndjenja në qelinë e tij me një copë pëlhure rreth qafës. Ai arriti të mbijetonte atë incident, por ndërroi jetë një muaj më vonë, më 10 gusht.
Në shënim, sipas dëshmisë së Tartaglione, Epstein kishte shkruar: “Është koha për të thënë lamtumirë”. Letra ishte fshehur brenda një libri komik dhe përfshinte referenca për hetimet ndaj tij, duke shprehur zhgënjim se “nuk kishin gjetur asgjë”.
Dokumenti u vulos nga një gjyqtar federal si pjesë e procesit penal ndaj Tartaglione, i akuzuar për një vrasje të katërfishtë, çka bëri që hetuesit e vdekjes së Epstein të mos kenë akses në një provë të mundshme mbi gjendjen e tij psikologjike.
Zyrtarisht, vdekja e Epstein u klasifikua si vetëvrasje nga mjeku ligjor i Nju Jorkut. Megjithatë, problemet e sigurisë në burgun e Manhattanit dhe kundërthëniet në deklaratat e tij kanë ushqyer teori të shumta. Fillimisht ai pretendoi se ishte sulmuar nga Tartaglione, por më vonë deklaroi se nuk kishte pasur asnjë konflikt me të.
Nga ana e tij, Tartaglione – ish-oficer policie i dënuar në vitin 2023 me katër burgime të përjetshme – ka mohuar çdo përfshirje në një sulm ndaj Epstein. Ai pretendon se e gjeti shënimin rastësisht dhe ia dorëzoi avokatëve të tij, duke besuar se mund të përdorej si provë nëse Epstein do të vazhdonte ta akuzonte.