Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetar në Tiranë, i cili ka ngritur alarmin për një rrezik serioz në “Sheshin Shtraus”, një zonë ku çdo mbrëmje luajnë dhjetëra fëmijë.
Siç shihet qartë në videon e dërguar, një shtyllë ndriçimi publik është e dëmtuar dhe e hapur, me kabllo elektrike të zhveshur që dalin jashtë, fare pranë nivelit të tokës. Njëra prej tyre duket e ekspozuar në mënyrë të rrezikshme, duke krijuar mundësinë e një goditjeje elektrike në çdo moment.
Qytetari tregon se është përpjekur ta izolojë me mjete rrethanore, por thekson se kjo është vetëm një zgjidhje e përkohshme dhe se situata kërkon ndërhyrje urgjente nga specialistët.
“Shikoni çfarë bëhet tek Sheshi Shtraus. Në këtë vend luajnë fëmijët çdo mbrëmje. Ju lutem publikojeni që të merren masa,” – shkruan ai.
Rasti bëhet edhe më alarmant duke marrë parasysh se në Shqipëri nuk kanë munguar ngjarje tragjike nga energjia elektrike, ku neglizhenca ka kushtuar jetë njerëzish.
Pyetja që shtrohet është e thjeshtë: duhet të ndodhë një tragjedi që institucionet të reagojnë? A duhet të zërë rryma ndonjë fëmijë që të merren masa?
JOQ Albania u bën thirrje autoriteteve përgjegjëse që të ndërhyjnë menjëherë për të eliminuar këtë rrezik, përpara se të jetë tepër vonë.