Paralizë në Bujqësi: Skema Kombëtare 2026 rrezikon dështimin dhe po lë pa para mijëra fermerë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 30.04.2026, 20:21

Skema Kombëtare e mbështetjes për bujqësinë për vitin 2026 po shkon drejt një dështimi të mundshëm sa i përket afateve të lëvrimit të fondeve, si pasojë e një ngërçi administrativ dhe keqmenaxhimi mes Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural.

Edhe pse nisma u prezantua me bujë nga Ministri Andis Salla si një mbështetje e shtuar për sektorin dhe ka kaluar tashmë një muaj nga publikimi i saj në Fletoren Zyrtare, procesi mbetet i bllokuar në hallkat burokratike. Ndërkohë që institucionet mjaftohen me takime promovuese në terren, mungesa e një udhëzimi të përbashkët që përcakton kriteret teknike të aplikimit ka bërë që zbatimi de fakto i skemës të mos ketë filluar ende, duke lënë fermerët në pritje të pashpresë.

Situata rëndohet akoma më shumë nga ana teknike, pasi AZHBR nuk ka arritur të sigurojë kontratën e mirëmbajtjes për sistemin që menaxhon aplikimet, proces ky që duhet të mundësojë aplikimin e fermerëve përmes platformës e-Albania.

Pa këtë kontratë aktive, i gjithë procesi i aplikimit mbetet i paralizuar, duke krijuar një vonesë që mund të shtyjë nisjen e procedurave deri në muajin gusht. Kjo periudhë konsiderohet tejet e vonë, pasi i gjen fermerët jashtë cikleve kryesore të mbjelljeve dhe investimeve intensive, duke e bërë mbështetjen financiare pothuajse të paefektshme për sezonin aktual.

Ekspertët e fushës theksojnë se vonesat në financimin e fondit prej 25 milionë eurosh janë të pajustifikueshme dhe godasin drejtpërdrejt prodhimin vendas në momentin e tij më kritik.

Muajt prill dhe maj përkojnë me kulmin e punimeve në fushë, dhe mungesa e likuiditetit në këtë kohë detyron fermerët të rrisin artificialisht kostot e tyre, duke e bërë produktin shqiptar më pak konkurrues në treg. Nëse nuk ndërhyhet urgjentisht për të zgjidhur ngërçin mes ministrisë dhe agjencisë zbatuese, blegtoria dhe bujqësia do të pësojnë një goditje të rëndë që do të ndihet gjatë gjithë vitit prodhues.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit