Kumbaro del pas 4 orësh nga SPAK, pyetet për stadiumin “Air Albania”

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 30.04.2026, 17:48

Pas një sërë zyrtarësh që janë paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, këtë herë ka qenë radha e ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, e cila është marrë në pyetje për rreth katër orë.

Ajo mbërriti në SPAK rreth orës 13:00 dhe u largua disa orë më vonë, ndërsa mësohet se është pyetur në kuadër të një hetimi që lidhet me ndërtimin e stadiumit “Air Albania”.

Vetë Kumbaro konfirmoi shkurtimisht për mediat se është thirrur në cilësinë e një personi që ka dijeni për këtë çështje, pa dhënë detaje të tjera. “Kam qenë si person në dijeni për çështjen e stadiumit ‘Arena’,” u shpreh ajo, duke lënë të hapura shumë pikëpyetje mbi natyrën e hetimit.

Paraqitja e saj në SPAK vjen në një moment kur emri i saj është përmendur shpesh në debate, lidhur me shkelje dhe skandale gjatë detyrave të mëparshme qeveritare, çka e bën edhe më të ndjeshme këtë zhvillim.

Megjithatë, deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar për nisjen e një hetimi të plotë mbi stadiumin kombëtar, ndërsa mbetet e paqartë se për cilat elementë konkretë po zhvillohen verifikimet nga SPAK.

Kujtojmë se Mirela Kumbaro ka mbajtur më herët poste si ministre e Kulturës dhe më pas e Turizmit dhe Mjedisit, përpara se të drejtojë aktualisht Ministrinë e Arsimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit