Pak ditë më parë, JOQ Albania publikoi një apel për ndihmë për Azem Shalën, një vogëlush 5-vjeçar nga Kosova, i cili kishte nevojë për një ndërhyrje kirurgjikale në të dyja këmbët në mënyrë që të mund të ecte pa dhimbje si bashkëmoshatarët e tij.
Pas tre operacioneve të pasuksesshme në Kosovë, Azemi udhëtoi drejt Turqisë për të kryer ndërhyrjen e nevojshme. Kostoja e operacionit, që arrinte në 27,000 euro, ishte e papërballueshme për familjen, duke i detyruar ata të kërkonin ndihmën e publikut.
Falë solidaritetit të shqiptarëve, shuma e nevojshme u mblodh brenda vetëm një jave. Azemi i është nënshtruar me sukses operacionit në shputat e këmbëve, duke hedhur kështu një hap të rëndësishëm drejt një jete normale.
Babai i tij ka shprehur mirënjohje të thellë për të gjithë shqiptarët që kontribuan dhe u bënë pjesë e këtij momenti të vështirë, duke i dhënë djalit të tij një shans të ri për të ecur pa dhimbje.