Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, Shqipëria vijon të ketë nivelin më të lartë të rrezikut për varfëri dhe përjashtim social në Europë. Treguesi AROPE tregon se 44.5% e familjeve me fëmijë dhe 37% e familjeve pa fëmijë ndodhen në këtë kategori, çka do të thotë se mbi një e treta e familjeve shqiptare përballen me të paktën një nga tre problematikat kryesore: të ardhura nën 60% të medianës kombëtare, privim të rëndë material dhe social, ose intensitet shumë të ulët pune. Ky nivel është dukshëm mbi mesataren e Bashkimit Europian, e cila është 22.1% për familjet me fëmijë dhe 19.8% për ato pa fëmijë.
Të dhënat tregojnë se shumë familje në vend nuk arrijnë të përballojnë shpenzimet bazë të jetesës, si pagesa e faturave, përballimi i shpenzimeve të papritura, pushimet apo ushqimi i rregullt. Sipas metodologjisë së Eurostat, një person konsiderohet në privim të rëndë material dhe social nëse nuk mund të përballojë të paktën 7 nga 13 nevoja bazë. Ndërkohë, familjet me intensitet shumë të ulët pune janë ato ku anëtarët në moshë pune kanë punuar më pak se 20% të potencialit të tyre gjatë një viti, duke reflektuar një treg pune ende të dobët dhe të paqëndrueshëm.
Pavarësisht rritjes së të ardhurave për frymë në rreth 12.5 mijë dollarë në vitin 2026, sipas të dhënave të FMN-së, fuqia blerëse e shqiptarëve mbetet e ulët dhe pabarazitë ekonomike janë të theksuara. Krahasuar me rajonin, Shqipëria paraqitet me nivele më të larta varfërie: në Mal të Zi, rreziku i varfërisë është 23% për familjet pa fëmijë dhe 34.8% për ato me fëmijë, ndërsa në Serbi 27.6% dhe 21.4%. Në nivel europian, rreth 92.7 milionë persona, ose 20.9% e popullsisë së BE-së, jetojnë në rrezik varfërie ose përjashtimi social, me vende si Bullgaria, Greqia dhe Rumania ndër më të prekurat, por sërish me nivele më të ulëta se Shqipëria.