Liria e shtypit në Shqipëri nën presion dhe gazetarët përballë kërcënimeve

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 30.04.2026, 14:40

Për herë të parë në historinë e Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit nga Reporterët pa Kufij (RSF), mbi gjysma e vendeve të botës klasifikohen në kategoritë “të vështira” ose “shumë serioze”, duke shënuar një përkeqësim të paprecedentë në 25 vitet e fundit. Rezultati mesatar i 180 vendeve dhe territoreve të analizuara nuk ka qenë kurrë kaq i ulët, çka tregon një krizë globale të lirisë së medias, të nxitur nga presioni politik, kufizimet ligjore dhe dobësimi i institucioneve demokratike në shumë vende.

Në këtë kontekst, Shqipëria renditet në vendin e 83-të, duke u ngjitur me tre pozicione krahasuar me vitin 2025, por ende përballet me probleme serioze strukturore. Sipas raportit, liria e shtypit dhe pavarësia e medias në vend minohen nga ndërthurja e interesave mes politikës dhe biznesit, mungesa e transparencës në financim dhe një kuadër ligjor i paplotë. Politizimi i institucioneve rregullatore dhe emërimet partiake në median publike kufizojnë pavarësinë editoriale, ndërsa gazetarët përballen me presion të vazhdueshëm politik, vështirësi në aksesin e informacionit dhe një klimë që nxit vetëcensurën.

Raporti thekson gjithashtu se gazetarët kritikë shpesh bëhen objekt sulmesh për diskreditim nga aktorë politikë të të dyja krahëve, ndërsa ata që hetojnë krimin dhe korrupsionin janë veçanërisht të ekspozuar ndaj kërcënimeve dhe intimidimit, përfshirë nga krimi i organizuar. Vendime gjyqësore të diskutueshme kanë kufizuar raportimin për çështje me interes publik, duke rritur shqetësimet për censurë indirekte. Në të njëjtën kohë, gazetaret gra përballen me ngacmime online dhe raste diskriminimi gjinor brenda redaksive. Në nivel evropian, vetëm disa vende të Evropës Veriore konsiderohen “të mira” për lirinë e shtypit, me Norvegjia në krye të renditjes, ndërsa Franca renditet në vendin e 25-të me një vlerësim “të kënaqshëm”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit