Në garën për drejtimin e Partisë Demokratike, përballë kryetarit aktual Sali Berisha, deri tani është regjistruar vetëm një kandidaturë zyrtare: Mereme Sela, mjeke në QSUT “Nënë Tereza” në Tiranë.
Sela, anëtare e Partisë Demokratike që prej vitit 2014, nuk është një figurë e njohur e strukturave drejtuese të partisë. Ajo u bë më e dukshme politikisht vitin e kaluar, kur në primaret për qarkun e Durrësit mori 43 vota. Pavarësisht këtij rezultati modest, ajo ka hyrë zyrtarisht në garën për kreun e PD-së.
Pas dorëzimit të kandidaturës në selinë blu, ajo u shpreh: “Rol drejtues nuk më është dhënë asnjëherë”, duke theksuar se angazhimi i saj politik lidhet kryesisht me profesionin dhe idenë e përfshirjes së figurave të reja në politikë.
Në deklarimet e saj, Sela ka argumentuar se vendimi për të kandiduar lidhet me nevojën për të sjellë një qasje të re brenda partisë. “Nëse popullit i intereson shëndeti, arsimi dhe fëmija, jam një nga personat me gjithë background-in e duhur”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka kujtuar gjithashtu se në procesin e primareve kishte kërkuar që kandidatët të prezantonin programet e tyre përpara anëtarësisë, praktikë që sipas saj nuk u realizua.
Pavarësisht se është e vetmja kandidate e regjistruar përballë Berishës, Sela ka mbajtur një qëndrim respektues ndaj tij. “Kam shumë respekt për Doktorin sepse e kam koleg, profesor”, është shprehur ajo.
Programi i saj elektoral fokusohet kryesisht në dy fusha: shëndetësinë dhe arsimin, të cilat i konsideron prioritete për riorientimin e politikave të partisë.
Në një proces ku disa kandidatura të tjera nuk janë pranuar, gara për drejtimin e Partisë Demokratike mbetet aktualisht një përballje mes Sali Berisha dhe Mereme Selës, duke lënë të hapur diskutimin mbi natyrën dhe konkurrueshmërinë reale të këtij procesi brenda partisë.