São Paulo streha e mafiozëve: Ervin Mata u arrestua në të njëjtin ishull si pjestari i ‘CosaNostra-s’, Tommaso Buscetta

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 30.04.2026, 14:29

Biznesmeni shqiptar i ndërtimit, Ervin Mata, i konsideruar si figurë kontroverse dhe i akuzuar nga SPAK për përfshirje në disa episode të trafikimit të drogës nga Amerika Latine drejt Europës dhe Shqipërisë, është arrestuar katër ditë më parë në ishullin Ilhabela, në Brazil.

Prej vitesh në kërkim nga drejtësia shqiptare, Mata kishte arritur t’i shmangej arrestimit duke lëvizur mes Amerikës Latine, Spanjës dhe Brazilit, ndërkohë që në Tiranë vijonin hetimet ndaj tij për aktivitete të dyshuara kriminale, që përfshijnë trafik droge dhe krijim organizate kriminale.

Sipas raportimit të CNN Brazil, arrestimi u krye në Ilhabela, në brigjet e São Paulos, gjatë natës së shtunës (25), në një operacion të përbashkët të Policisë Federale dhe asaj Ushtarake vendase. Lajmi u pasqyrua më pas edhe nga media shqiptare.

Mata, i njohur më herët në Tiranë për aktivitetin e tij në ndërtimin e kullave rezidenciale dhe të biznesit, u bë figurë më e përfolur pas përplasjes me Ervis Martinaj në ngjarjen e njohur si “masakra e Bllokut”. Pas kësaj periudhe, ai duket se kishte zgjedhur të jetonte në Ilhabela, një ishull turistik në Brazil.

Ky ishull ka një histori të veçantë, pasi në vitet 1970 u bë strehë edhe për Tommaso Buscetta, një nga figurat më të rëndësishme të mafias siciliane. Ai jetoi aty për një periudhë të gjatë nën identitet të rremë, duke organizuar trafik ndërkombëtar droge drejt Amerikës së Veriut, ndërsa në sipërfaqe bënte një jetë të qetë si biznesmen lokal.

Në mënyrë të ngjashme, Ilhabela konsiderohet një destinacion që ndërthur luksin dhe izolimin, çka e bën tërheqës për individë që kërkojnë të qëndrojnë larg vëmendjes publike. Nuk është e qartë nëse prania e Matës aty lidhej me këtë histori apo thjesht me stilin e jetesës që ofron ishulli.

Ndërkohë, çështja e tij pritet të marrë zhvillime të reja në vijim, ndërsa autoritetet shqiptare dhe ato braziliane pritet të vijojnë procedurat përkatëse ligjore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit