Një automjet është përfshirë nga flakët pak minuta më parë në autostradën Tiranë–Durrës, pranë zonës së Vorës, duke rrezikuar seriozisht jetën e drejtuesit dhe duke krijuar panik tek kalimtarët.
Pamjet e mbërritura në redaksinë e JOQ Albania tregojnë momentin dramatik, ku makina digjet plotësisht, ndërsa pranë saj kalon një mjet policie. Ajo që e bën situatën edhe më të rëndë është fakti se drejtuesi i automjetit u kërkon ndihmë efektivëve, por patrulla nuk ndalon dhe vijon rrugën, duke e lënë qytetarin në mëshirë të fatit.
Ky veprim ngre pikëpyetje serioze mbi reagimin e strukturave të rendit në raste emergjente. Në një situatë ku çdo sekondë mund të jetë vendimtare për jetën e një personi, mosndërhyrja duket jo vetëm e pajustifikueshme, por edhe e papërgjegjshme. Policia, që ka për detyrë të jetë në vijën e parë të ndihmës dhe sigurisë për qytetarët, në këtë rast duket se ka zgjedhur të mbyllë sytë përballë një rreziku të dukshëm.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta, duke vënë në diskutim standardet e reagimit dhe ndjeshmërinë ndaj situatave kritike në terren. Edhe nëse ekziston një arsye operative për këtë veprim, mungesa e ndërhyrjes në një rast kaq flagrant mbetet e vështirë për t’u justifikuar në sytë e publikut.