Në garën për drejtimin e Partisë Demokratike, tabloja që po krijohet është ajo e një procesi të ngushtuar deri në ekstrem, ku përballja duket më shumë simbolike sesa reale. Mjekja e QSUT, Mereme Sela, ka dorëzuar dokumentacionin, duke hyrë në një terren ku politika tradicionale shpesh ka qenë e mbyllur për figurat jashtë strukturave partiake. Përballë saj qëndron Sali Berisha, figura qendrore që, në praktikë, dominon jo vetëm garën, por edhe kushtet e saj.
Ajo që ngre më shumë pikëpyetje në këtë proces është mënyra e administrimit të rregullave. Udhëzimi i ri për të kandiduar është publikuar vetëm 24 orë para mbylljes së procesit, duke e bërë praktikisht të pamundur një garë të barabartë në kohë dhe organizim. Përfaqësuesit e Evi Kokalari, Ervin Salianji dhe Alesia Balliu janë paraqitur në seli me dokumentacionet për të kandiduar, por nuk janë pranuar nga Sali Berisha, i cili nuk lëshon karrigen duke nxitur kritika për mungesë transparence dhe selektivitet në filtrimin e garuesve. Të 3 kanë thënë se dokumentacionin do e dorëzojnë dhe në rrugë elektronike dhe pse gjasat për tu pranuar si kandidatë, janë zero.
Afati për dorëzimin e dokumentacioneve është mbyllur. Nëse kandidatura e mjekes pranohet Berisha do të kandidojë përballë saj, në të kundërt, Berisha do të shkojë në garë i vetëm duke e kthyer garën në një garë pa rivalë, Kjo situatë krijon një kontrast të fortë, një mjeke që vjen nga sistemi shëndetësor dhe tenton të hyjë në politikë përballë doktorit që nuk e lëshon kontrollin mbi partinë. Problemi thelbësor nuk është vetëm kush garon, por si është ndërtuar gara. Kur rregullat ndryshohen në minutat e fundit dhe konkurrenca ngushtohet në mënyrë të tillë, rezultati fillon të duket më shumë si një formalitet i menaxhuar sesa si një proces demokratik i hapur me alternativa reale.