Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka shpallur moskompetencë për dosjen “Onkologjiku”, duke e veçuar hetimin vetëm për mjekun Edmond Gashi dhe duke ia kaluar pjesën tjetër të çështjes Prokurorisë së Tiranës si organ kompetent. Pas këtij vendimi, Prokuroria e kryeqytetit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim gjashtë persona, mes të cilëve zv.drejtoreshën e QSUT Brikena Qirjazi, koordinatori Emiljano Lela, mjekja Alketa Pere, specialistja Drilona Kishta, Halil Gashi dhe farmacisti Florian Marku. Çështja pritet të shqyrtohet nga Gjykata Penale e Tiranës, e cila do vendosë nëse dosja kalon për gjykim.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Tiranës, të kryera në bashkëpunim me Seksionin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, janë evidentuar raste kur pacientët me sëmundje tumorale nuk merrnin trajtimin e duhur në spitalin publik dhe orientoheshin drejt klinikave private kundrejt pagesave të fryra, edhe pse shërbimi duhet të ishte falas. Hetimet përfshijnë gjithashtu administrimin e aparaturës së kobalt-terapisë në Onkologjik, e cila sipas dosjes është mbajtur jashtë funksionit dhe në kushte të papërshtatshme teknike, duke ngritur shqetësime për sigurinë dhe përdorimin e saj në trajtimin e pacientëve.
Në përfundim të hetimeve, prokuroria ka ngritur akuza për “Shpërdorim detyre”, “Fshehje të ardhurash” dhe “Tregtim të mallrave kontrabandë”, në varësi të rolit të secilit të pandehur. Emiljano Lela dhe Alketa Pere akuzohen për orientimin e pacientëve drejt klinikave private, Brikena Qirjazi për mosmarrje masash për funksionimin e pajisjes së kobaltit, Drilona Kishta për ekspertizë të dyshuar jo të saktë, Halil Gashi për moslëshim faturash dhe punësim informal, ndërsa Florian Marku për tregtim barnash të dyshuara kontrabandë. Çështja “Onkologjiku” mbetet tashmë në pritje të vendimit të gjykatës për kalimin e saj në proces gjyqësor.