Një 36-vjeçar shqiptar është vënë në pranga në aeroportin “Malpensa” të Milanos, pasi ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-arresti për tentativë vrasjeje, ndërsa përballet gjithashtu me akuza për armëmbajtje pa leje dhe përfshirje në mallra të vjedhura.
Operacioni u zhvillua nga Policia Kufitare italiane, pas një hetimi të nisur më 13 prill, kur i dyshuari tentoi t’i shpëtonte ndalimit duke u larguar me vrap, duke u përzier mes pasagjerëve dhe duke hedhur xhaketën për të mos u identifikuar. Më pas ai arriti të largohej me automjet. Përmes analizës së kamerave të sigurisë dhe verifikimeve në bazat e të dhënave, të mbështetura edhe nga teknologjia e njohjes së fytyrës, autoritetet arritën të konfirmonin identitetin e tij dhe të siguronin një vendim gjyqësor, që përfshinte edhe një dënim me 1 vit e 1 muaj burg.
Hetimet zbuluan gjithashtu lidhjet e tij, përfshirë një grua dhe një fëmijë që kishin mbërritur së fundmi nga Baku. Pikërisht në zonën e mbërritjeve të aeroportit, teksa priste t’i takonte, ai u ndalua nga efektivët përpara se të largohej.
Gjatë kontrollit fizik dhe të automjetit, policia gjeti një pistoletë “Beretta” të kalibrit 7.65 mm me numër serial të fshirë, një karikator me tetë fishekë dhe një plumb në fole, të fshehura mes sendeve të tij personale në bagazh. Po ashtu u sekuestruan mjete të dyshuara për vjedhje me thyerje, pajisje elektronike si GPS dhe telefona celularë, si dhe dy palë targa të falsifikuara, njëra prej të cilave dyshohet se lidhet me një grabitje të mbetur në tentativë në zonën e Cuneos.
Në përfundim të operacionit, 36-vjeçari u arrestua dhe u dërgua në burgun e Busto Arsizio, ku do të qëndrojë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore.