Afati për dorëzimin e kandidaturave për zgjedhjen e kreut të Partisë Demokratike skadon këtë të enjte në orën 12:00, por gara e 23 majit pritet të zhvillohet pa rivalë për Sali Berishën. Një udhëzim i mbajtur sekret dhe i publikuar vetëm 24 orë para mbylljes së afatit ka ngritur pikëpyetje mbi procesin, ndërsa janë evidentuar edhe parregullsi të tjera. Dokumenti, i firmosur që më 18 mars, përcakton kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët, duke përfshirë angazhim të paktën 10-vjeçar në PD, profil të lartë publik dhe përvojë drejtuese në nivel kombëtar ose rajonal.
Aktivistja shqiptaro-amerikane Evi Kokalari, e cila ka shpallur ambicien për të kandiduar, ka denoncuar pengesa në dorëzimin e dokumentacionit. Sipas saj, avokati i saj në Tiranë është ndaluar nga roja e sigurisë në selinë e Partisë Demokratike dhe nuk është lejuar të dorëzojë dosjen, me arsyetimin se “nuk pranojmë zarfe”. Pavarësisht kësaj, Kokalari është shprehur se do t’i dërgojë dokumentet përmes postës DHL, si dhe në rrugë elektronike, përpara përfundimit të afatit zyrtar.
Ndërkohë, kandidaturë pritet të paraqesin edhe Alesia Balliu dhe ish-deputeti Ervin Salianji, megjithëse ky i fundit përballet me një pengesë ligjore për shkak të një dënimi të formës së prerë, sipas parashikimeve të udhëzimit. Salianji ka deklaruar se do të tentojë të hyjë në garë dhe do të denoncojë çdo shkelje të procesit, duke e cilësuar atë si “farsë” dhe “uzurpim”. Salianji ka theksuar se mungesa e listave zgjedhore, koha e pabarabartë dhe publikimi i vonuar i rregullave tregojnë, sipas tij, frikën e Berishës për t’u përballur në një garë të hapur.