Seanca gjyqësore për dosjen “Partizani” vijon sot në orën 12:30 në GJKKO, ku të pandehur janë ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, si dhe persona të tjerë. Gjykata ka miratuar listën e SPAK me 11 dëshmitarë, ndërsa 8 prej tyre pritet të dëshmojnë gjatë seancës së sotme.
Sipas informacioneve, i pari që do të merret në pyetje është deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, në cilësinë e kallëzuesit të çështjes. Pas tij, pritet të dëshmojnë edhe ish-drejtues të klubit sportiv “Partizani”, të cilët lidhen me rrethanat e dosjes në shqyrtim.
Në seancën e kaluar, GJKKO pranoi gjithashtu kërkesën e mbrojtjes së Berishës dhe Malltezit për të thirrur si dëshmitar kryeministrin Edi Rama. Ky i fundit pritet të dëshmojë në cilësinë e ish-kryebashkiakut të Tiranës, pasi sipas mbrojtjes, ai ka firmosur ndryshimin e destinacionit të truallit të ish-kompleksit “Partizani” nga terren sportiv në zonë ndërtimi gjatë kohës që drejtonte bashkinë.