Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, i ka qëndruar kërkesës së saj edhe pas tre vitesh procesi gjyqësor, duke kërkuar në gjykatë konfiskimin e rreth 100 pasurive të Anton Gjinajt, i njohur edhe me emrin Pashuk Gjini.
Kërkesa u paraqit këtë të mërkurë nga prokurori Dritan Prençi, në një proces që ka zgjatur prej vitesh dhe është shtyrë disa herë. Sipas SPAK, pasuritë në fjalë, me një vlerë që tejkalon 8 milionë euro, dyshohet se burojnë nga aktiviteti kriminal i lidhur me trafikun e lëndëve narkotike.
Autoritetet shqiptare theksojnë se Gjinaj është dënuar më herët në Spanjë për vepra penale që lidhen me drogën. Në vitin 2010, ai u shpall fajtor si pjesë e një grupi kriminal, të cilit iu sekuestruan mbi 50 kilogramë heroinë që dyshohej se kishte si destinacion zonat turistike të Alicante.
Pas kësaj, sipas dosjes hetimore, ai është larguar nga Spanja dhe është vendosur në Shqipëri, ku ka vijuar aktivitetin në fushën e biznesit. Një vit më pas, në 2011, ai ka ndryshuar emrin në Anton Gjinaj.
Ndër pasuritë dhe subjektet që kërkohen të konfiskohen përfshihen edhe kompani të njohura në sektorin e ndërtimit, si “Alessio 2014”, e cila ka pasur kontrata me institucione shtetërore dhe ka marrë pjesë në projekte infrastrukturore si nënkontraktore. Gjithashtu, në listë është edhe kompania “Foralb Alabastër”, ku përveç Gjinajt rezulton aksionere edhe Ministria e Ekonomisë.
Sipas SPAK, hetimi pasuror i zhvilluar në bazë të ligjit “Antimafia” ka nxjerrë në pah një nivel të pajustifikuar ekonomik të Gjinajt dhe familjarëve të tij, duke ngritur dyshime se pasuritë e krijuara, si të luajtshme ashtu edhe të paluajtshme, janë produkt i aktivitetit kriminal të ushtruar në Shqipëri dhe jashtë saj.
Pasuritë në fjalë janë nën sekuestro që prej korrikut të vitit 2022, ndërsa vendimi përfundimtar për konfiskimin e tyre pritet të merret nga gjykata.