Një qytetar nga Vlora i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një video shqetësuese, ku shihet një breshkë e ngordhur në zonën e Plazhi i Vjetër.
Sipas denoncuesit, kjo nuk është hera e parë që ndodhin raste të tilla në këtë zonë. Ai dyshon se ngordhja e breshkës ka ardhur si pasojë e peshkimit me rrjeta, një praktikë që shpesh kthehet në kurth fatal për gjallesat detare.
“Mirëmbrëma JOQ, sot dola për një shëtitje nga zona e Plazhit të Vjetër në Vlorë dhe pashë një breshkë të ngordhur në breg. Kjo është si pasojë e peshkimit me rrjeta, sepse nuk është hera e parë që ndodh kjo gjë. Ju lutem postojeni këtë video dhe peshkatarët me rrjeta të kenë kujdes,” shprehet qytetari.
Pamje të tilla janë jo vetëm të trishta, por edhe alarmante për gjendjen e faunës detare në brigjet tona. Breshkat e detit janë specie të mbrojtura dhe çdo humbje e tyre përbën një dëm për ekosistemin.
Raste të përsëritura të ngordhjes së gjallesave detare ngrenë pikëpyetje mbi kontrollin dhe respektimin e rregullave të peshkimit.
Apel për institucionet: Kërkohet ndërhyrje më e madhe nga autoritetet përgjegjëse për monitorimin e aktivitetit të peshkimit dhe mbrojtjen e faunës detare. Ndërgjegjësimi dhe kontrolli janë thelbësorë për të parandaluar raste të tilla që dëmtojnë natyrën dhe pasuritë tona të përbashkëta.