Vetëvrasje apo vrasje? Përmbysen hetimet për shqiptarin që u gjet i vdekur në stallë në Greqi

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 29.04.2026, 22:01

Ngjarja e rëndë e regjistruar në Messinia të Greqisë, ku një 44-vjeçar shqiptar u gjet i pajetë me një plagë plumbi në kokë brenda një stalle, po merr një kthesë të papritur që mund të rrëzojë pistën fillestare të vrasjes.

Edhe pse fillimisht autoritetet dyshuan për një akt kriminal, nisur edhe nga e kaluara e viktimës, provat e reja të grumbulluara nga mjeku ligjor po e orientojnë hetimin drejt një vetëvrasjeje të mundshme. Ky konkluzion paraprak mbështetet fort në analizat balistike dhe gjurmët e mbetjeve të barutit, të cilat sugjerojnë se arma është shkrepur nga vetë viktima në një distancë që përkon me aktin e vetëflijimit.

Dyshimet për vetëvrasje përforcohen edhe më tej nga dëshmitë e personave të afërt, ku një mik i viktimës, i cili ishte edhe personi që zbuloi trupin e pajetë, ka deklaruar për policinë se 44-vjeçari kishte shfaqur shenja depresioni dhe kishte paralajmëruar herë pas here se do t'i jepte fund jetës.

Megjithatë, ajo që e bëri skenën e ngjarjes të dyshimtë që në fillim ishte fakti se pushka e gjahut u gjet e fshehur dhe e zbrazur në një distancë të shkurtër nga trupi, element ky që zakonisht nuk ndodh në rastet e vetëvrasjeve klasike.

Misteri i fshehjes së armës u zgjidh nga dëshmia e vajzës së pronarit të stallës, e cila rrëfeu para hetuesve se arma i përkiste babait të saj të moshuar. Ajo shpjegoi se në momentin që ajo dhe partneri i saj gjetën trupin, u përfshinë nga paniku dhe vendosën ta fshihnin pushkën nga frika se do të akuzoheshin për vrasje, përpara se të njoftonin policinë.

Pavarësisht këtyre dëshmive dhe provave mjeko-ligjore që flasin për vetëvrasje, autoritetet greke bëjnë me dije se hetimet mbeten të hapura dhe nuk do të konsiderohen të mbyllura deri në daljen e konkluzionit përfundimtar që do të vulosë fatin e kësaj çështjeje.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit