Mashtrimi 50 mln € në Tiranë: Goditet “korporata” e Call Center-ave që zhvati Europën

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 29.04.2026, 20:40

Një operacion ndërkombëtar i përmasave të mëdha, i koduar dhe ndjekur për më shumë se dy vite, ka çuar në shkatërrimin e një prej rrjeteve më të sofistikuara të mashtrimit online që operonte nga zemra e Shqipërisë.

Europol ka zbardhur detaje tronditëse mbi aktivitetin e disa qendrave të thirrjeve në Tiranë, të cilat nën maskën e strukturave legjitime të biznesit, kishin ngritur një skemë mashtrimi me investimet, duke u vjedhur qytetarëve evropianë një shumë marramendëse prej të paktën 50 milionë eurosh.

Hetimi, i cili nisi pas sinjalizimeve të autoriteteve austriake në qershor të vitit 2023, kulmoi me një aksion të koordinuar më 17 prill 2026. Në pranga ranë 10 persona, ndërsa gjatë bastisjeve në tri qendra thirrjesh dhe nëntë shtëpi private u sekuestruan rreth 900,000 euro cash, qindra kompjuterë, telefona celularë dhe pajisje të tjera elektronike.

Ky rrjet nuk ishte një grup i thjeshtë mashtruesish, por një strukturë e mirëfilltë "korporative" me rreth 450 punonjës, e ndarë në departamente të burimeve njerëzore, IT, financës dhe menaxhimit, ku operatorët paguheshin me rroga mujore prej 800 eurosh plus komisione për çdo viktimë të joshur.

Skema funksiononte përmes premtimeve për fitime të shpejta në platforma investimesh false. Viktimat nga Gjermania, Italia, Spanja, Britania e Madhe dhe deri në Kanada, tërhiqeshin përmes reklamave në rrjetet sociale.

Pasi regjistroheshin, ata binin në duart e "agjentëve" që flisnin gjuhën e tyre amtare, të cilët përdornin presion psikologjik dhe softuerë të qasjes në distancë për të kontrolluar kompjuterët e viktimave. Fondet, në vend që të investoheshin, zhdukeshin përmes një rrjeti ndërkombëtar të pastrimit të parave.

Për më tepër, grupi nuk ndalej me kaq; ata kontaktonin sërish personat që kishin humbur para, duke u premtuar ndihmë për rikuperimin e fondeve në këmbim të pagesave të reja në kriptomonedha.

Suksesi i këtij operacioni erdhi falë bashkëpunimit të ngushtë mes policisë shqiptare, autoriteteve austriake, Europol-it dhe Eurojust-it. Përdorimi i një adrese IP në territorin shqiptar shërbeu si filli që zbërtheu të gjithë lëmshin e aktiviteteve kriminale.

Ndërsa infrastruktura e IT-së është çmontuar plotësisht, ekspertët po analizojnë vëllimet e mëdha të të dhënave të sekuestruara, të cilat pritet të zbulojnë detaje të reja mbi bashkëpunëtorët e tjerë dhe shtrirjen globale të kësaj organizate që operonte me profesionalizëm të frikshëm nga zyrat e Tiranës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit