Një 36-vjeçar shqiptar është arrestuar në Aeroportin e Malpensës nga policia italiane, pasi rezultonte i shpallur në kërkim për vrasje të mbetur në tentativë.
Sipas autoriteteve italiane, ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti nga drejtësia, për të vuajtur një dënim prej 1 viti e 1 muaji burg, ndërsa ndaj tij pritet edhe një përllogaritje tjetër dënimesh.
Ngjarja daton më 13 prill, kur gjatë një kontrolli rutinë në aeroport, i dyshuari u largua me vrap sapo pa policinë, duke tentuar të humbte gjurmët mes turmës dhe duke hequr xhupin për të shmangur identifikimin. Ai arriti të largohej me makinë, por hetimet vijuan.
Falë kamerave të sigurisë dhe përdorimit të teknologjisë së njohjes së fytyrës, policia arriti ta identifikojë dhe të zbulojë se ai ishte në kërkim.
Arrestimi u bë disa ditë më vonë, kur efektivët zbuluan se një grua me një fëmijë, të lidhur me të, po ktheheshin në Itali nga Bakuja. 36-vjeçari kishte shkuar t’i priste në zonën e mbërritjeve, ku edhe u neutralizua nga policia para se të largohej.
Gjatë kontrollit personal dhe të automjetit, autoritetet sekuestruan një pistoletë Beretta 7.65 me numër serie të fshirë, me 8 fishekë dhe një të futur në fole, si dhe targa të klonuara, mjete për vjedhje dhe pajisje elektronike, përfshirë GPS dhe telefona.
36-vjeçari u dërgua në burgun e Burgut të Busto Arsizio, ku do të qëndrojë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore italiane.