Një banore e Elbasanit ka ngritur një shqetësim serioz lidhur me një problem të vazhdueshëm me ujërat e zeza, të cilat sipas saj po i përmbytin banesën prej një kohe të gjatë, duke e bërë jetesën thuajse të pamundur.
Ajo shprehet se shkak i situatës është bllokimi i tubit ekzistues të ujërave të zeza nga një komshi, çka ka sjellë derdhjen e tyre në pronën e saj. Sipas denoncimit, prej muajsh ajo ka bërë kërkesa të përsëritura pranë institucioneve përgjegjëse, përfshirë bashkinë, mjedisin dhe ujësjellësin, por thotë se nuk ka marrë zgjidhje konkrete.
Banorja shprehet se prej rreth katër muajsh i është thënë vazhdimisht të presë, ndërsa përgjigjet, sipas saj, kanë qenë të përsëritura dhe pa rezultat praktik.
Ajo tregon se situata është përkeqësuar deri në atë pikë sa ujërat e zeza kanë depërtuar brenda banesës, duke shkaktuar erë të rëndë dhe kushte të papërshtatshme për jetesë. Sipas saj, era e keqe ka bërë të pamundur qëndrimin normal në shtëpi dhe daljen e fëmijëve jashtë.
Gjithashtu, ajo thotë se pemët përreth janë tharë si pasojë e ndotjes, ndërsa gjendja po përkeqësohet çdo ditë e më shumë.
Banorja apelon për ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse, duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme të problemit që, sipas saj, ka mbetur i pazgjidhur prej një kohe të gjatë dhe po rrezikon shëndetin dhe jetesën e familjes së saj.