Laert Haxhiu, i njohur si “i forti i Lushnjës”, ka refuzuar të përballet në sallën e gjyqit me Artan Tafanin, ish-anëtarin e grupit të tij, i cili tashmë ka marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë në GJKKO.
Haxhiu nuk është paraqitur në seancën e zhvilluar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku prokurori Behar Dibra kishte thirrur si dëshmitar Tafanin. Ky i fundit ka rrëfyer para gjykatës njohjen me Haxhiun dhe disa prej episodeve kriminale që, sipas tij, janë kryer me urdhër të tij.
Seanca është zhvilluar në mungesë të të pandehurit, i cili nuk është shfaqur për t’u përballur me ish-bashkëpunëtorin e kthyer në të penduar. Gjatë dëshmisë, Tafani ka dhënë një rrëfim të detajuar mbi mënyrën se si është njohur me Haxhiun dhe veprimtarinë e përbashkët kriminale, duke folur drejtpërdrejt para trupit gjykues.
Ai ka treguar se në takimin e parë, Haxhiu ishte i informuar për të kaluarën e tij dhe e kishte pyetur se “çfarë dinte të bënte”.
“Me Laertin jam njohur nga një çun nga Lushnja. Jemi takuar në Dajt nëpërmjet Lulzim Arapit, ai ma ka prezantuar. Laerti më ka thënë ‘ça di të bësh’, pasi ai kishte marrë informacionet që unë kisha bërë vjedhje me dhunë. Herën e parë më ka dhënë 1 mijë euro. Më ka kërkuar Laerti t’i vendos një sasi tritoli në një banesë në Lushnje, në pronësi të Erjon Çokut. Për këtë ngjarje kam taku Laertin dhe më ka thënë se çfarë duhet të bëj. Tritolin e kisha unë, ma kishte dhënë Sajmir Krasniqi. Më ka dhënë Laerti 100 euro sa për lek xhepi. Nga Korça shkova direkt në Lushnje dhe nga ora 2-3 e natës shkoj e ve tritolin dhe kthehem prapë në shpi.”,ka thene ai.
Në dëshminë e tij, Tafani ka folur edhe për motivet e mundshme të konflikteve, duke deklaruar se Erjon Çoku ishte i përfshirë në shitje heroine dhe kishte pasur borxhe ndaj Haxhiut. Sipas tij, ai e njihte edhe viktimën për shkak të përdorimit të lëndëve narkotike.
“Në atë kohë flisja me Laertin dhe i thashë çfarë veprimesh bëra. Erjon Çoku ishte një person që shiste heroinë dhe e njihja se isha përdorues. Ky i kishte marrë Laertit mallin dhe nuk i kishte dhënë lekët. Besnik Çoku është vëllai i Erjonit, rrinte jashtë shtetit. Ishte hera e parë që e bëja një gjë të tillë”, është shprehur Tafani.