Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka përfshirë ullishtet në zonën e Panajasë, përgjatë autostradës Vlorë–Fier, duke shkaktuar dëme të mëdha në sipërfaqe të mbjella me ullinj, përfshirë edhe pemë shekullore. Flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak të erës dhe temperaturave të larta, duke rrezikuar të përfshijnë një zonë edhe më të gjerë bujqësore.
Ndërhyrja e forcave zjarrfikëse është vështirësuar nga terreni i thyer dhe mungesa e rrugëve automobilistike që çojnë drejt vatrave të zjarrit. Efektivët janë detyruar të punojnë në kushte të vështira, duke përdorur mjete rrethanore dhe duke zgjatur linjat e ujit në distanca të mëdha për të arritur në zonat më problematike. Në disa raste, ndërhyrja është bërë edhe në këmbë për shkak të pamundësisë së aksesit me mjete.
Aktualisht, zjarrfikësit vijojnë përpjekjet për izolimin e flakëve dhe shmangien e përhapjes së mëtejshme të zjarrit, ndërsa situata mbetet nën monitorim. Nuk raportohen persona të lënduar deri në këto momente, por dëmet në ullishte konsiderohen të konsiderueshme. Autoritetet po punojnë gjithashtu për të përcaktuar shkaqet e rënies së zjarrit.