Një turiste e huaj që po qëndron në Durrës i është drejtuar redaksisë tonë për të denoncuar gjendjen aktuale të plazhit, duke e cilësuar situatën si të papërshtatshme për sezonin turistik që sapo ka nisur.
Në mesazhin e saj, ajo shprehet e zhgënjyer nga mungesa e rregullit në vijën bregdetare, duke theksuar se prania e automjeteve të rënda po ndikon drejtpërdrejt në eksperiencën e pushuesve.
“Përshëndetje. Jam në Durrës. Jam e zhgënjyer me gjendjen e plazhit. Kamionë të mëdhenj qarkullojnë në zonën e plazhit. Turistët po largohen drejt vendeve të tjera,” – shkruan ajo, duke ngritur shqetësimin për një fenomen që, sipas saj, po dëmton imazhin turistik të qytetit bregdetar.
Turistja i bën gjithashtu thirrje institucioneve dhe autoriteteve përgjegjëse që të bashkëpunojnë për vendosjen e rendit dhe kontrollit në zonat turistike, sidomos në këtë periudhë kur pritet fluks i lartë vizitorësh.
“Ju lutem, a mund të bashkohen institucionet dhe të kërkojnë vendosjen e rregullit? Sezoni po fillon. Nëse humbet reputacioni, është shumë e vështirë të rikthehen turistët. Unë dhe miqtë e mi u larguam menjëherë,” thekson ajo.
Denoncimi i saj vjen në një moment kur Durrësi dhe zonat e tjera bregdetare po përgatiten për sezonin veror, duke rikthyer në vëmendje nevojën për menaxhim më të mirë të hapësirave publike, sigurisë dhe standardeve të turizmit.
