Tonelatat e kokainës dhe zhdukja e 4 mln lekëve, Mir Pepa plan për rrëmbimin e drejtuesve të bankës

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 29.04.2026, 12:23

Detaje të reja janë bërë publike lidhur me dosjen hetimore që përfshin grupin kriminal të drejtuar nga Jetmir Pepa dhe vëllezërit e tij, të cilët dyshohet se kanë trafikuar nga Amerika Latine drejt Evropës rreth 7.5 ton kokainë.

Një nga episodet më të rënda lidhet me zhdukjen e një shume të konsiderueshme parash në një bankë të nivelit të dytë në Tiranë. Bëhet fjalë për rreth 4 milionë euro, për të cilat vëllezërit Pepa kanë hedhur dyshime mbi një notere me inicialet R.K., duke pretenduar se ajo ka pasur rol në humbjen e kësaj shume.

Nga biseda të zbardhura, përfshirë komunikime në platformën Sky ECC, del se paratë janë depozituar përmes llogarive të lidhura me noteren, por më pas kanë humbur gjurmët në rrethana ende të paqarta. Në këto komunikime përmenden edhe diskutime për masa ekstreme, përfshirë marrjen peng të administratorëve të bankës, si mënyrë për të rikuperuar shumën e humbur.

Po ashtu, noterja dyshohet se është përdorur si mbulesë për qarkullimin e parave që vinin nga aktiviteti i paligjshëm i trafikut ndërkombëtar të drogës, ndërsa rrethanat mbeten ende të paqarta.

Sa i përket aktivitetit kriminal, një nga episodet e para daton në fund të marsit 2020, kur një sasi prej rreth 8.5 kilogramë kokainë u sekuestrua në Amsterdam, duke çuar edhe në arrestimin e një prej anëtarëve të grupit, Leonard Pjetri, i njohur si “Rrumi”.

Ndërkohë, një tjetër episod i dokumentuar, vetëm pak javë më vonë, lidhet me trafikimin e një sasie shumë më të madhe, rreth 1,018 kilogramë kokainë nga Peruja drejt portit të Roterdamit në Holandë. Ngjarja mban datat 7-8 prill 2020 dhe vjen pas dështimit të tentativës së parë. Sipas të dhënave, ngarkesa mbërriti me një anije kolumbiane, ndërsa droga ishte fshehur në një konteiner frigoriferik të mbushur me lëngje frutash të ngrira.

Në vijim, në biseda të tjera përmendet edhe organizimi i trafikut të sasive më të mëdha, deri në 100 kilogramë kokainë, për të cilat kërkohej miratimi i drejtuesve të grupit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit