Një fëmijë dyvjeçar në Turqi është bërë protagonist i një historie sa shqetësuese aq edhe të pazakontë, pasi u zhduk për disa orë dhe u gjet duke fjetur i qetë në majë të një mali.
Ngjarja ndodhi në fshatin Sarıağaççayı, në një ditë të zakonshme me diell, kur vogëlushi u largua nga shtëpia pa u vënë re. Familjarët dhe banorët e zonës ngritën menjëherë alarmin, duke nisur një operacion të gjerë kërkimi ku u përfshi edhe policia.
Pas rreth 10 orësh ankth dhe kërkimesh intensive, fëmija u gjet rreth tre kilometra larg banesës, në një zonë malore. Por ajo që i la të gjithë pa fjalë ishte gjendja e tij: ai ishte në gjumë të thellë, i qetë dhe i paprekur, i shtrirë mbi shkëmbinj.
Në videon që po bën xhiron e rrjetit, vogëlushi shihet duke fjetur me kokën mbi duar. Kur zgjohet, ai duket i hutuar nga prania e njerëzve rreth tij, sikur të mos kuptonte çfarë kishte ndodhur. Më pas ngrihet qetësisht dhe vesh shapkat, duke u sjellë sikur gjithçka ishte krejt normale.
Historia është bërë virale në rrjetet sociale, ku përdoruesit kanë reaguar me humor dhe habi, duke e kthyer vogëlushin në një “yll” të momentit.