Administrata Tatimore ka rikujtuar se të gjithë personat fizikë, tregtarët, të vetëpunësuarit dhe subjektet që ushtrojnë veprimtari ekonomike online janë të detyruar të regjistrohen pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit përpara nisjes së aktivitetit. Sipas autoriteteve, ky detyrim ligjor synon formalizimin e tregtisë në internet dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.
Në rast se subjektet ushtrojnë aktivitet pa regjistrim dhe pa publikimin e të dhënave të kërkuara ligjore në faqet e tyre, Administrata Tatimore paralajmëron se do të kërkojë bllokimin e përkohshëm të faqeve online përmes Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP). Institucioni thekson gjithashtu se bashkëpunimi mes dy autoriteteve është forcuar për të luftuar informalitetin dhe për të rritur kontrollin mbi aktivitetet dixhitale.
Tatimet kanë sqaruar se çdo aktivitet tregtar në internet, përfshirë shitjen e produkteve dhe ofrimin e shërbimeve dixhitale, trajtohet njësoj si tregtia tradicionale dhe i nënshtrohet detyrimeve tatimore sipas ligjeve në fuqi. Subjektet janë të detyruara të regjistrohen online përmes e-Albania, të pajisen me NIPT dhe të respektojnë të gjitha detyrimet për tatimin mbi të ardhurat, TVSH-në, sigurimet shoqërore dhe faturimin elektronik, në të kundërt do të përballen me masa administrative sipas legjislacionit.