Nga bashkëpunëtorë në aktorë kryesorë: Rritet fuqia e mafies shqiptare në Itali

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 29.04.2026, 10:38

Hyrja e ’Ndrangheta-s dhe sidomos forcimi i rolit të mafies shqiptare janë dy nga gjetjet kryesore të raportit të Komisionit të VI Rajonal Antimafia, i drejtuar nga Andrea Orlando, i prezantuar në këshillin rajonal të Ligurias, Itali.

Sipas Orlandos, në Itali vazhdon të ketë një prani të konsoliduar të organizatave kryesore kriminale, ku ‘Ndrangheta ruan një dominim të fortë. Megjithatë, raporti vë në dukje zhvillime të reja, veçanërisht rritjen e ndikimit dhe pavarësisë së grupeve kriminale shqiptare, të cilat po shndërrohen në një faktor gjithnjë e më të rëndësishëm dhe të qëndrueshëm.

Ai theksoi se të dhënat bazohen kryesisht në procedime gjyqësore, duke përmendur përdorimin e porteve për trafik droge si një nga aktivitetet kryesore. Paralelisht, fitimet nga këto veprimtari përdoren për t’u futur në ekonominë e ligjshme. Orlando shtoi se raporti është rezultat i një procesi të gjatë analizash dhe dëgjimesh të detajuara, dhe do të shërbejë si bazë për ndjekjen e mëtejshme të këtij fenomeni.

Në dokument përmenden edhe disa nga sekuestrimet më të mëdha të drogës në vitet 2022–2024: 445 kg kokainë në Genoa (shkurt 2022), 412 kg në La Spezia (janar 2022), 968 kg në Vado Ligure (janar 2023) dhe 116 kg po në Vado Ligure (mars 2024).

Raporti nënvizon se Liguria përfaqëson 18.2% të totalit të sekuestrimeve në Itali, duke qenë rajoni me përqindjen më të lartë në veri të vendit. Gjithashtu theksohet se rrjetet kriminale që operojnë aty nuk janë vetëm italiane.

Përveç rolit ende dominues të ‘Ndrangheta-s, dokumenti evidenton një bashkëpunim tashmë të barabartë me grupet kriminale shqiptare, të cilat kanë kaluar nga role të thjeshta ekzekutive në funksione më të specializuara logjistike, si menaxhimi, magazinimi dhe shpërndarja e narkotikëve, duke treguar një nivel në rritje autonomie në operacionet e tyre.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit