Japonia po hedh një hap tjetër drejt automatizimit, duke futur në provë robotë humanoidë në aeroportin e Tokios, “Haneda”, me synimin për të përballuar mungesën e fuqisë punëtore.
Bëhet fjalë për modele si Unitree G1 dhe UBTECH Walker E, të cilët do të përdoren për detyra të rënda fizike, si ngarkimi dhe shkarkimi i bagazheve apo kontenierëve.
Projekti po zbatohet nga Japan Airlines (JAL) në bashkëpunim me kompaninë GMO AI & Robotics dhe do të zgjasë rreth dy vite, duke nisur nga muaji maj.
Industria ajrore në Japoni po përballet me mungesë të theksuar punonjësish, e ndikuar nga rritja e numrit të turistëve dhe rënia e popullsisë në moshë pune. Aktualisht, vetëm JAL ka rreth 4 mijë punonjës në shërbimet tokësore, por kërkesa për punë po tejkalon kapacitetet.
Përmes këtij projekti, synohet që robotët të marrin përsipër punët më të lodhshme fizikisht, duke lehtësuar ngarkesën e stafit njerëzor.
Në të ardhmen, planifikohet që ata të përdoren edhe për pastrimin e kabinave të avionëve dhe operimin e pajisjeve të tjera mbështetëse në pistë.
Autoritetet dhe kompanitë përkatëse theksojnë se, pavarësisht zhvillimit teknologjik, disa procese kyçe si menaxhimi i sigurisë do të mbeten ekskluzivisht në dorë të njerëzve.
Ndërkohë, Japonia ka parë një rritje të ndjeshme të turizmit, me mbi 7 milionë vizitorë vetëm në dy muajt e parë të vitit, çka ka shtuar edhe më shumë presionin mbi sektorin e aviacionit.
Ky testim shihet si një hap konkret drejt së ardhmes, ku njerëzit dhe robotët pritet të punojnë krah për krah në industri të ndryshme.