Dosja Epstein zgjatet në Meksikë, akuza të reja për “Zorro Ranch”, dëshmi për abuzime e vdekje

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 28.04.2026, 19:11

Detaje të reja dhe tronditëse kanë dalë në dritë nga dosja e Jeffrey Epstein, këtë herë të lidhura me pronën e tij në New Mexico, të njohur si “Zorro Ranch”.

Sipas raportimeve të përfshira në dokumentarin e emisionit “60 Minutes” në Australi, si edhe në media ndërkombëtare si The Sun, kjo pronë përshkruhet si një zonë e izoluar ku dyshohet se janë kryer abuzime të rënda seksuale për një periudhë të gjatë kohe.

Dëshmitë e të mbijetuarve hedhin dritë mbi një ambient të mbyllur dhe të kontrolluar, ku viktimat pretendojnë se mbaheshin të izoluara dhe nën presion psikologjik. Një prej tyre, Soday Davis, e ka cilësuar fermën si vendin më të frikshëm që ka përjetuar ndonjëherë, duke deklaruar se shpesh qëndronte e mbyllur për orë të tëra pa asnjë mundësi kontakti apo ndihme nga jashtë.

Sipas dëshmive të publikuara, izolimi i pronës e bënte thuajse të pamundur çdo tentativë për ndihmë, ndërsa viktimat pretendojnë se detyroheshin të takonin Epstein nëpërmjet pretekstesh të ndryshme.

Raportimet flasin gjithashtu për akuza të reja që përfshijnë jo vetëm gra, por edhe burra, të cilët dyshohet se janë trafikuar dhe detyruar të përfshihen në situata abuzive. Një dëshmi e një ish-zyrtari amerikan përmend raste të përdorimit të drogave dhe abuzimeve në grup ndaj të rinjve.

Zbulime edhe më të rënda lidhen me pretendime të ngritura në një ankesë të FBI-së në vitin 2019, ku përmenden dy vdekje të dyshuara në pronë, në rrethana të paqarta dhe të dhunshme. Sipas këtyre pretendimeve, hetimet nuk u çuan në një fazë të plotë në atë kohë.

Rasti është rikthyer sërish në vëmendjen e publikut, ndërsa autoritetet në New Mexico kanë hapur një hetim të ri, ku një komitet i posaçëm po shqyrton dëshmi, dokumente dhe prova të reja. Dhjetëra persona kanë dhënë deklarime për përvoja të ndryshme abuzimi, duke zgjeruar më tej dimensionin e akuzave rreth një prej çështjeve më të errëta penale në SHBA.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit