Përplasi për vdekje italianin dhe u largua nga vendngjarja, arrestohet 52-vjeçari shqiptar

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 28.04.2026, 18:16

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Itali, ku një 69-vjeçar ka humbur jetën pasi është përplasur nga një automjet tip SUV, ndërsa drejtuesi i mjetit është larguar nga vendi i ngjarjes pa i dhënë ndihmë viktimës.

Ngjarja ndodhi pasditen e 27 prillit në Castel d’Aiano, ndërsa viktima është identifikuar si Gaetano Martone, me origjinë nga Caserta, por banues prej kohësh në zonën ku ndodhi aksidenti.

Sipas mediave italiane, drejtuesi i mjetit, një 52-vjeçar me origjinë shqiptare, u identifikua dhe u arrestua nga karabinierët, duke u vënë në akuzë për “vrasje rrugore”, “mosdhënie ndihme” dhe largim nga vendi i aksidentit.

Njoftimi u dha rreth orës 18:30, kur në rrugën “via dei Piani” u gjet trupi i pajetë i 69-vjeçarit. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve emergjente, nuk u bë e mundur shpëtimi i tij.

Gjatë hetimeve për zbardhjen e rrethanave, policia zbuloi se automjeti i përfshirë, një “Mercedes-Benz GLC 250”, ndodhej vetëm rreth 500 metra larg vendit të ngjarjes, i braktisur dhe me dëmtime të dukshme në pjesën e përparme. Në mjet u konstatuan shenja të forta përplasjeje, përfshirë xhamin e përparmë të thyer me gjurmë gjaku dhe aktivizimin e airbagëve.

Pronari i automjetit, 52-vjeçari shqiptar, u identifikua dhe u shoqërua nga autoritetet, por ai ka mohuar përfshirjen në aksident, duke pretenduar se kishte dalë nga rruga dhe nuk kishte përplasur asnjë person.

Ai gjithashtu refuzoi t’i nënshtrohej testit të alkoolit, por pranoi të dërgohej në një strukturë shëndetësore për analiza gjaku.

Me urdhër të Prokurorisë së Bolonjës, trupi i viktimës iu dorëzua familjarëve, ndërsa automjeti u sekuestrua si provë materiale. Ndaj të dyshuarit është caktuar masa e arrestit shtëpiak, në pritje të vendimit të gjykatës për vlerësimin e masës së sigurisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit