Vrasja e çiftit Mujeci në Lezhë, autorët fshehën makinën në një kasolle dhe e mbuluan me bar

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 28.04.2026, 17:41

Zbardhen zhvillime të reja nga atentati i rëndë i ndodhur më 26 prill në Balldren të Lezhës, ku humbën jetën bashkëshortët Kreshnik dhe Gentjana Mujeci.

Hetimet e deritanishme kanë çuar në identifikimin e automjetit të përdorur nga autorët, si dhe në sekuestrimin e një sërë provash që pritet të hedhin më shumë dritë mbi ngjarjen.

Sipas Policisë, në një kasolle në fshatin Torovicë është gjetur një automjet tip “Volkswagen Polo” pa targa, i cili dyshohet se është përdorur gjatë atentatit.

Brenda mjetit janë konstatuar dy gëzhoja model 56, ndërsa automjeti paraqet dëmtime në xhamin e pasmë dhe në pjesë anësore.

Në të njëjtin ambient është zbuluar edhe një mjet tjetër identik, por me targa të rregullta, në pronësi të shtetasit B. K. Ky element ka shtuar dyshimet se automjeti mund të jetë përdorur për të fshehur gjurmët e krimit.

Po ashtu, në oborrin e banesës janë gjetur edhe rrobat e përdorura nga autorët, si dhe një palë targa.

Nga hetimet paraprake rezulton se shtetasi Florin Mhillaj kishte marrë automjetin që motra e tij e kishte marrë me qira në zonën e Rinasit.

Pasi i janë hequr targat, në bashkëpunim me një person tjetër të shpallur në kërkim, ai dyshohet se e ka përdorur mjetin për t’u prerë rrugën viktimave dhe për të qëlluar në drejtim të tyre.

Pas kryerjes së krimit, automjeti është fshehur në banesën e shtetasit B. K., ku është mbuluar me bar me qëllim zhdukjen e gjurmëve.

Ndërkohë, Policia ka shpallur në kërkim 22-vjeçarin B. K., i dyshuar për “vrasje në rrethana cilësuese” dhe “mbajtje pa leje të armëve”, ndërsa është proceduar penalisht edhe babai i tij, N. K., 79 vjeç.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit