Një ngjarje shqetësuese është regjistruar sërish në zonën e 5 Majit, te pallatet Arlis pranë Farmacisë 10, vetëm pak ditë pas incidentit që la mbi 30 familje në qiell të hapur dhe pa banesa.
Teksa një qytetar po përdortr një zgarë në ballkonin e tij, papritur ajo ka marrë flakë. Në përpjekje për ta shuar zjarrin, ai i ka fryrë flakëve, por kjo ka bërë që ato të përhapen edhe më shumë dhe të dalin jashtë kontrollit për disa momente, duke krijuar panik tek komshinjtë përreth.
Fatmirësisht, zjarri është neutralizuar dhe përveç tymit nuk ka patur pasoja për banorët e komunitetit.
Ngjarja vjen vetëm dy javë pasi flakët përpinë fasadën e pallatit 12-katësh te kompleksi “Arlis", në zonën e njohur si "Farmacia 10". Mbeturinat e marketit në katin 0 të pallatit u përfshinë nga flakët dhe brenda pak sekondave zjarri përfshiu thuajse gjysmën e pallatit në të gjithë gjatësinë e tij dhe shkrumboi 30 banesa.