“Porti i Durrësit drejt shuarjes”

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 28.04.2026, 15:28

Porti i Durrësit, një prej nyjeve më të rëndësishme të ekonomisë shqiptare, po përballet sot me një realitet shqetësues që, siç thekson Klevis Elezi, nuk mund të mbulohet më me justifikime administrative apo retorikë boshe. Ndërsa ekspertët paralajmërojnë se vonesat në ndërtimin e portit të ri rrezikojnë t’i zbehin rolin rajonal, situata në portin aktual paraqitet edhe më problematike: një sistem që po rëndohet nga keqmenaxhimi, mungesa e përgjegjësisë dhe vizionit afatgjatë.

Sipas Klevis Elezit, mbështetja për operatorët ekonomikë që kanë ngritur zërin është mëse e justifikuar. Ajo që po ndodh nuk janë ankesa të izoluara, por tregues të qartë të një mekanizmi që nuk funksionon siç duhet.

Në analizën e tij, Autoriteti Portual i Durrësit ka dështuar të administrojë kapacitetet ekzistuese, duke lejuar krijimin e një situate kaotike në Terminalin e Kontejnerëve. Problemet me mungesën e hapësirave, përdorimin joefektiv të zonave dhe praktikat e panevojshme si rikthimi i konteinerëve për kontrolle të dyfishta flasin për një menaxhim të dobët dhe mungesë koordinimi.

Gjendja e pajisjeve portuale është po aq alarmante. Kur vinçat funksionojnë nën kapacitet dhe anijet detyrohen të presin gjatë për përpunim, kemi të bëjmë jo thjesht me defekte teknike, por me një dështim institucional që reflektohet drejtpërdrejt në ekonomi.

Mungesa e investimeve në pajisje bazë dhe vonesat burokratike në procedurat e prokurimit tregojnë një administratë që nuk e kupton urgjencën e situatës. Për një sektor kaq jetik, këto ritme janë të papranueshme.

Në vijim, Elezi kritikon vendime të diskutueshme si ngushtimi i hyrjes nr. 4 të portit, duke e cilësuar si një tregues të mungesës së dialogut me aktorët e tregut dhe një qasje të shkëputur nga realiteti operacional. Çdo pengesë e tillë, sipas tij, dëmton drejtpërdrejt zinxhirin e furnizimit dhe biznesin.

Një tjetër problem tjetër gjithashtu është mosrealizimi i thellimit të kanalit hyrës, që sipas tij përbën një dështim strategjik dhe kufizon konkurrueshmërinë e portit, duke rritur kostot për operatorët dhe konsumatorët.

Në fund, Klevis Elezi i bën thirrje institucioneve përgjegjëse, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoritetit Portual dhe Administratës Doganore, të ndërhyjnë menjëherë për të zgjidhur situatën, duke përfshirë riorganizimin e hapësirave, rritjen e kapaciteteve, riparimin e pajisjeve dhe përshpejtimin e investimeve strategjike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit