Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e dyfishtë të ndodhur në Balldren të Lezhës, ku pasditen e së dielës u ekzekutuan me armë zjarri bashkëshortët Kreshnik dhe Gentjana Mujeci. Çifti u sulmua me breshëri automatike nga një automjet në lëvizje, ndërsa policia ka shpallur në kërkim Renato, Florin dhe Adriano Mhillajn si autorë të dyshuar.
Sipas hetimeve paraprake, në krim janë përdorur dy makina, një Audi A4 dhe një Golf 5. Njëra prej tyre dyshohet se ka bllokuar rrugën e automjetit të viktimave, ndërsa nga mjeti tjetër është hapur zjarr, ku janë qëlluar të paktën 30 plumba në drejtim të çiftit.
Autoritetet bëjnë me dije se deri më tani nuk janë arrestuar të dyshuarit, ndërsa nuk janë gjetur as armët e përdorura dhe as automjetet e krimit. Pistat kryesore të hetimit lidhen me hakmarrjen apo gjakmarrjen.
Nga informacionet e fundit rezulton se autorët i kanë ndjekur për disa orë viktimat. Ata kanë pritur momentin kur çifti doli nga një lokal dhe më pas kanë ndërhyrë disa kilometra më tej për të kryer atentatin.
Raportohet se plani fillimisht rrezikoi të dështonte, pasi pranë lokalit ku qëndronin autorët ka kaluar një automjet policie, çka dyshohet se ka shkaktuar tension dhe lëvizje të nxituara nga ana e tyre.
Megjithatë, të dyshuarit kanë arritur ta realizojnë sulmin, që sipas hetimeve lidhet me një ngjarje të ndodhur rreth 10 vite më parë. Kreshnik Mujeci kishte qenë i dyshuar për vrasjen e Genc Mhillit, çështje për të cilën ai ishte arrestuar në atë kohë, por më pas u shpall i pafajshëm nga gjykata.