Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë vendimin për një nga çështjet që supozohej të tregonte “forcën” e drejtësisë së re, por që në fund la më shumë zhgënjim sesa besim. Edison Tabaku dhe Sokol Navaku u shpallën fajtorë për korrupsion në radhët e drejtësisë, duke u dënuar me nga 2 vite burg pas gjykimit të shkurtuar, ndërsa për këtë të fundit dënimi u konvertua në shërbim prove. Ndërkohë, shoku i Ilir Prodës, ish-shefi i Qarkullimit Rrugor në Tiranë, Roven Zeka, doli i pafajshëm dhe madje iu hoq edhe masa e arrestit në shtëpi, pasi “nuk u provua fakti penal”.
Në një vendim që duket si një balancë mes “pak dënim, pak pafajësi”, edhe Erges Vrioni përfitoi nga lehtësimi i dënimit, duke kaluar nga burg në shërbim prove. E gjithë çështja lidhej me një aksident ku pesë persona përfunduan në spital, ndërsa zyrtarët e policisë rrugore dyshohej se kishin marrë 2 mijë euro për të mbyllur çështjen pa pasoja ligjore. Por në fund, ndërsa disa u dënuan lehtë, figura kryesore e përfolur në publik arriti të dalë “i pastër”, duke shtuar dyshimet mbi standardin e provave dhe hetimit.
Ironia më e madhe mbetet se “drejtësia e re”, e ngritur pikërisht për të luftuar korrupsionin në nivelet e brendshme të sistemit, përfundon me vendime që për publikun duken më shumë si kompromis sesa si goditje e fortë ndaj abuzimit. Mes dënimeve të reduktuara dhe pafajësive të bujshme, rasti lë pas një shije të njohur, shumë zhurmë për korrupsion, por pak pasoja reale.