Autoritetet turke kanë arrestuar Özgür Gökçe, vëllain e shefit të njohur të kuzhinës Nusret Gökçe, në kuadër të një hetimi të gjerë për prostitucion dhe krim të organizuar. Sipas mediave të huaja, ai dyshohet se, së bashku me persona të tjerë, ka ndërmjetësuar dhe organizuar aktivitet të paligjshëm, përmes marrjes me qira të banesave dhe dhomave hoteli, si dhe komunikimeve në aplikacione mobile.
Gjatë hetimeve janë ngritur edhe dyshime për pastrim parash, ku të përfshirët dyshohet se kanë përdorur llogari bankare të personave të ndryshëm për të qarkulluar të ardhurat nga aktivitetet ilegale kundrejt komisioneve. Autoritetet raportojnë se rreth 15 milionë lira turke kanë qarkulluar brenda një viti në lidhje me këtë rrjet.
Operacioni policor është zhvilluar më 17 prill në disa qytete të Turqisë, përfshirë Stambollin, Ankaranë, Samsunin dhe Diyarbakirin, ku u kontrolluan 14 adresa. Në total u arrestuan 13 persona, nga të cilët 7 u lanë në paraburgim, përfshirë edhe Özgür Gökçe, ndërsa hetimet për çështjen vijojnë.