Sipas informacioneve hetimore, Ervin Mata dyshohet se kishte konsoliduar lidhje me një nga organizatat më të fuqishme kriminale në Paraguaj, të cilat i siguronin jo vetëm mbrojtje, por edhe akses në rrjete të strukturuara të trafikut të drogës. Për këto veprimtari ai është nën akuzë nga SPAK, duke u konsideruar një nga figurat më të kërkuara të krimit të organizuar.
I njohur si “boli i kokainës”, Mata u vu në pranga në Brazil, pas një urdhri ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet shqiptare. Operacioni u realizua nga njësitë speciale braziliane, të cilat e kapën në zonat periferike të São Paulo-s.
Në momentin e ndalimit, ai kishte me vete disa dokumente identifikimi të falsifikuara, përfshirë pasaporta dhe karta identiteti, që i mundësonin të lëvizte lirshëm mes vendeve të Amerikës Latine. Sipas burimeve, arrestimi erdhi pas një hetimi të gjatë rreth dy vite, të zhvilluar në bashkëpunim me strukturat e Interpol-it.
Fillimisht, Mata tentoi të shmangte identifikimin duke paraqitur një pasaportë të rreme që e lidhte me Mbretërinë e Bashkuar, por kontrollet zbuluan mashtrimin. Ai u arrestua në Ilhabela, pasi shërbimet e inteligjencës kishin gjurmuar lëvizjet e tij drejt zonave bregdetare, duke përdorur rrugë alternative, përfshirë transportin detar.
Sipas dosjes hetimore, Mata dyshohet se ka koordinuar trafikimin e rreth 240 kilogramëve kokainë drejt Frankfurtit në Gjermani, në shtator të vitit 2020, në bashkëpunim me persona të tjerë.
Vendimi për arrestimin e tij parashikon njoftimin e menjëhershëm të institucioneve përkatëse, përfshirë organet gjyqësore, Ministrinë e Drejtësisë, Interpol-in dhe përfaqësitë diplomatike.
Autoritetet sekuestruan gjithashtu dokumente të tjera të falsifikuara, mes tyre një pasaportë bullgare, që përdorej për të maskuar identitetin dhe për të lëvizur nga një shtet në tjetrin.
Pas shpalljes në kërkim nga drejtësia shqiptare, Mata besohet se ishte vendosur në Amerikën Latine, ku lëvizte vazhdimisht duke përdorur identitete të rreme, kryesisht dokumente bullgare dhe paraguajane.
Në vitin 2023, ai u përfshi nga SPAK në një grup kriminal prej 11 personash, të dyshuar për trafik ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës. Hetimet tregojnë se Mata kishte rol kyç në organizimin e transportit të rreth 250 kilogramëve drogë nga Brazili drejt aeroportit të Frankfurtit.
Gjykata e Posaçme ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”, për akuzat e trafikimit të narkotikëve në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal dhe për pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Po ashtu, hetimet vijojnë edhe për përfshirjen e tij të mundshme në ngjarje të tjera kriminale në Shqipëri, ku grupi që ai dyshohet se i përkiste lidhet edhe me tentativa për vrasje dhe aktivitete të pastrimit të parave.