KESCO dhe KEK-u me marrëveshje për të mos e shtrenjtuar rrymën

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 28.04.2026, 11:00

KESCO njofton të gjithë konsumatorët se, në përputhje me kërkesat dhe rekomandimet e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), është arritur një marrëveshje e përbashkët me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), me qëllim menaxhimin më efikas të kostove të furnizimit me energji elektrike.

Në këtë periudhë sfiduese për sektorin energjetik, e karakterizuar nga rritja e nevojës për import të energjisë elektrike, kjo marrëveshje është pjesë e përpjekjeve të koordinuara ndërmjet institucioneve dhe ndërmarrjeve të sektorit energjetik për të ruajtur stabilitetin e sistemit dhe për të mbrojtur konsumatorin fundor.

Në thelb të kësaj marrëveshjeje qëndron aplikimi i një mekanizmi të përkohshëm të shpërndarjes së kostove, i propozuar nga ZRRE, i cili synon të shmangë ndikimin e menjëhershëm të rritjes së kostove në tarifat e energjisë elektrike.

Si furnizues i shërbimit universal, KESCO ka luajtur një rol aktiv në arritjen e kësaj marrëveshjeje, duke mbështetur një qasje që garanton furnizim të qëndrueshëm dhe mbron konsumatorin fundor nga ngarkesat e menjëhershme financiare.

Kjo marrëveshje konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt ruajtjes së stabilitetit në sektorin energjetik dhe dëshmon për bashkëpunimin ndërinstitucional në funksion të interesit të qytetarëve.

KESCO mbetet e përkushtuar që të vazhdojë të kontribuojë në zgjidhje të qëndrueshme që sigurojnë furnizim të besueshëm dhe të përballueshëm me energji elektrike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit