Banorët e lagjes “Skënderbej” në qytetin e Elbasanit kanë ngritur shqetësimin për ndërprerje të shpeshta dhe të zgjatura të energjisë elektrike, një situatë që sipas tyre vijon prej më shumë se një jave.
Sipas denoncimit të një qytetareje, një linjë elektrike që furnizon një numër të konsiderueshëm banesash në këtë zonë ka pësuar ndërprerje të përditshme, kryesisht në intervalin orar 08:00–18:00.
Edhe pse banorët janë informuar nga autoritetet se ndërprerjet do të ndaleshin, situata duket se është përkeqësuar ditët e fundit.
Banorët kanë kërkuar sqarime edhe pranë drejtuesve lokalë të operatorit të shpërndarjes së energjisë në Elbasan, nga ku u është premtuar sërish se nuk do të ketë më shkëputje. Megjithatë, sipas tyre, përgjigjja e dhënë vazhdimisht mbetet e njëjtë: “jemi në proces rimonti”.
Banorët theksojnë se përveç dëmeve ekonomike të shkaktuara në pajisjet elektronike dhe ushqime, kjo situatë po ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme, duke sjellë vështirësi në sigurimin e kushteve bazë si uji, gatimi dhe higjiena.
Problematika bëhet edhe më e rëndë për familjet me fëmijë të vegjël apo persona të sëmurë.
Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe një zgjidhje të qëndrueshme nga institucionet përgjegjëse.
Denoncimi i qytetares:
Pershendetje, e beni dot publike nje shqetesim qe kemi si lagje ?
Situata eshte kjo . Lagjia skenderbej ne elbasan , ka nje linje te rrymes elektrike qe perfshin nje numer te konsiderueshem shtepish. Mbi nje jave ikin dritat nga ora 8-18:00. Dy ditet e fundit i kemi telefonuar dhe na kane thene qe sdo kete me nderpreje. Nderkohe sot vazhdimisht cdo gjysem ore ikin vijn ikin vijne. Kemi shkuar dhe te drejtori i oshe ne elbasan dhe na eshte thene qe sdo kete me shkeputje. Sapo telefonuam serish dhe justifikimi eshte i njejte : jemi ne proces rimonti. Pervec demit ekonomik ne pajisjet elektronike , ne ushqimet , mosperfillja e organeve arrin deri ne mohimin e te drejtave baze per mbijetese : uje per tu lare,pamundesi gatimi, por mos kaluar pastaj ne demet e tjera qe i shkaktojne familjeve me femije te vegjel apo te semure ne shtepi.