Një i ri i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një denoncim ndaj forcave “Shqiponja”, duke pretenduar se është ndaluar pa asnjë arsye dhe në kundërshtim me procedurat.
Sipas tij, ngjarja ka ndodhur në Tiranë, në zonën e Alliasit, në rrugën “Kolë Gjumari”. I riu shprehet se kishte qenë duke pirë kafe në një lokal dhe sapo kishte dalë, është ndaluar nga efektivët.
“Po pija kafe, sa dola nga lokali erdhën dhe më ndaluan pa asnjë arsye. Njëri prej tyre nuk kishte as kod verifikimi dhe nuk më dhanë asnjë shpjegim”, shprehet ai.
Në videon e dërguar në redaksi, i riu dëgjohet teksa u drejtohet efektivëve duke kërkuar sqarime:
“Cila ishte arsyeja e ndalimit? Si e ke kodin ti? Më trego kodin. Ku e ke kodin e verifikimit?”
Por situata tensionohet më tej kur një prej efektivëve i përgjigjet me fjalë fyese: “Ec mor burrë andej se na çave...”.
Denoncuesi thotë se ishte i vetëm në momentin e ndalimit dhe se situata të tilla, sipas tij, ndodhin shpesh në atë zonë.
Rasti është publikuar për të nxitur reagimin e institucioneve dhe për të sqaruar nëse janë ndjekur apo jo procedurat standarde nga ana e efektivëve.
JOQ Albania mbetet e hapur për çdo reagim nga autoritetet për këtë rast.