Pas një periudhe të gjatë në kërkim ndërkombëtar, janë publikuar së fundmi pamjet e momentit të arrestimit të Ervin Matës në Brazil, një operacion që i dha fund arratisë së tij në Amerikën e Jugut.
Mediat braziliane kanë zbardhur detaje të reja nga operacioni, duke bërë me dije se prangosja e tij u realizua në ambientet e një lokali, pas një informacioni të siguruar në rrugë operative se një person me rrezikshmëri të lartë po lëvizte në atë zonë. Edhe pse forcat e rendit ndërhynë me shpejtësi, raportohet se Mata nuk ka shfaqur rezistencë në momentin që është rrethuar nga policia.
Gjatë kontrollit, atij iu gjetën dhe sekuestruan dy aparate celularë dhe një sërë dokumentesh, të cilat po përdoreshin për të fshehur identitetin e tij të vërtetë. Në përpjekje për t’u shpëtuar prangave, ai ka tentuar të paraqitet si shtetas paraguaian duke përdorur dokumente identifikimi angleze të falsifikuara, por kjo tentativë ka dështuar pasi policia braziliane dispononte të dhëna biometrike dhe imazhe të sakta të tij. Pas verifikimit të plotë, u konfirmua se bëhej fjalë për personin e shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare.
Ervin Mata ishte shpallur në kërkim nga SPAK që prej vitit 2023, pasi Gjykata e Posaçme kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë "Arrest në burg" për akuza të rënda që lidhen me trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike brenda një grupi të strukturuar kriminal.
Sipas dosjes hetimore, ai dyshohet se ka koordinuar bashkëpunëtorët e tij për trafikimin e një sasie prej 240 kilogramësh kokainë në vitin 2020. Ky procedim u dokumentua falë një bashkëpunimi masiv mes agjencive ligjzbatuese të disa vendeve, përfshirë Europol-in dhe autoritetet braziliane e kolumbiane. Tashmë, Interpol Tirana po bashkëpunon ngushtë me degën e Brazilias për të mbyllur procedurat administrative, me qëllim ekstradimin e tij sa më të shpejtë drejt Shqipërisë.