Trotuaret zihen nga makinat te Bulevardi i Ri, nëna me karrocë bën apel: Policia s’duket gjëkundi!

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 27.04.2026, 20:25

Një situatë e paprecedentë dhe degraduese po ndodh çdo ditë në një nga zonat që pretendohet se përfaqëson zhvillimin e ri urban të Tiranës. Bëhet fjalë për rrugën "Filip Jano", aksi që lidh zonën e ish-burgut me Bulevardin e Ri, ku pallatet e reja dhe luksoze po rrethohen nga një kaos total që vret lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Një nënë e shqetësuar ka denoncuar pranë redaksisë së JOQ Albania tmerrin që përjeton çdo ditë teksa tenton të shëtisë fëmijën e saj. Ajo shprehet e revoltuar se trotuaret janë pushtuar plotësisht nga automjetet, duke e detyruar atë që të zbresë në mes të rrugës me karrocë, duke u bërë pre e rrezikut të vazhdueshëm nga mjetet në lëvizje.

Por pamjet tregojnë se ky nuk është problemi i vetëm në këtë lagje që duket se është harruar nga çdo lloj autoriteti ligjzbatues. Përveç trotuareve të zëna, rruga "Filip Jano" është kthyer në një makth edhe për vetë shoferët që kalojnë aty.

Një numër i madh automjetesh parkojnë në mënyrë të paligjshme në të dyja anët e rrugës, duke e ngushtuar kalimin aq shumë saqë dy mjete e kanë të pamundur të shkëmbehen në të njëjtën kohë. Kjo sjell bllokime të vazhdueshme, zhurmë dhe një stres të papërballueshëm për drejtuesit e mjeteves të cilët paguajnë taksa për një infrastrukturë që realisht nuk mund ta gëzojnë.

Ajo që e bën edhe më skandaloze këtë situatë është dëshmia e banorëve të cilët konfirmojnë se Policia Rrugore nuk duket asnjëherë në këtë zonë. Ndërsa gjobat vendosen rëndom në qendër apo në akse të tjera, këtu ku siguria e këmbësorëve dhe nënave me fëmijë rrezikohet hapur, mbretëron ligji i më të fortit.

Është e pafalshme që në një qytet që reklamohet si modern, një nënë të detyrohet të bëjë manovra mes makinave në rrugë sepse trotuari është kthyer në parking privat, ndërkohë që shteti bën veshin e shurdhër dhe syrin e qorr përballë kësaj arrogance mjedisore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit