Një aksident i frikshëm është regjistruar pasditen e sotme në hyrje të Tunelit të Llogarasë, në aksin Orikum–Himarë.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet që po udhëtonte drejt Himarës është përplasur me barrierat metalike anësore të rrugës. Si pasojë e goditjes së fortë, një pjesë e mbrojtëseve ka depërtuar brenda mjetit, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe duke krijuar një skenë të frikshme për dëshmitarët okularë.
Siç shihet edhe nga pamjet, barriera ka hyrë në trupin e makinës, duke e shpuar atë, ndërsa automjeti ka mbetur i bllokuar në anë të rrugës.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë policia, zjarrfikësja dhe ambulanca. Burime bëjnë me dije se është plagosur vetëm shoferi, i cili është transportuar me urgjencë drejt spitalit. Gjendja e tij shëndetësore ende nuk dihet.
Autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.