Një operacion i karabinierëve ka çuar në arrestimin në flagrancë të tre personave në Frosinone, mes tyre një 48-vjeçar shqiptar, djali i tij 20 vjeç dhe një 22-vjeçare italiane, të dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike.
Sipas autoriteteve italiane, gjatë një kontrolli rutinë në rrugën “Via Monti Lepini”, u ndalua një automjet tip “Smart” që drejtohej nga i riu shqiptar, i cili kishte qenë më parë i sinjalizuar për çështje droge. Në makinë ndodhej edhe 22-vjeçarja.
Sjellja e dyshimtë dhe nervozizmi i tyre shtyu efektivët të kryenin një kontroll më të thelluar. Gjatë kontrollit, vajzës iu gjetën 2435 euro në kartëmonedha të vogla, ndërsa në automjet u zbulua një hapësirë e fshehtë me hapje elektrike, e ndërtuar në pjesën e airbag-ut të pasagjerit.
Brenda saj ishin fshehur 37 doza të mbyllura hermetikisht, që përmbanin rreth 54 gramë kokainë. Gjithashtu, u sekuestrua edhe një agjendë me emra dhe shuma parash, që dyshohet se lidhen me aktivitetin e paligjshëm.
Pas kësaj, kontrollet vijuan në banesën e 20-vjeçarit, ku ndodhej edhe babai i tij. Aty u gjetën të fshehura 210 gramë kokainë, 100 gramë hashash, sasi të tjera më të vogla, si dhe pajisje për paketimin e drogës dhe një makinë për numërimin e parave.
Në përfundim të veprimeve, babë e bir u dërguan në burgun e Casa Circondariale di Frosinone, ndërsa 22-vjeçarja u la në arrest shtëpie me vendim të autoriteteve gjyqësore.
Autoritetet theksojnë se personat e arrestuar konsiderohen të dyshuar dhe janë nën hetim, ndërsa fati i tyre do të përcaktohet nga drejtësia, në përputhje me parimin e prezumimit të pafajësisë.