Inteligjenca Artificiale po hyn në një fazë tjetër, ku dallimi mes reales dhe asaj të krijuar në kompjuter po bëhet gjithnjë e më i padukshëm.
Një video e publikuar nga Grok Imagine po bën xhiron e rrjeteve sociale, duke treguar një përmirësim të madh në dy elementë kyç: sinkronizimin e buzëve dhe cilësinë e zërit.
Në pamje, personazhet duken thuajse si njerëz të vërtetë. Lëvizja e gojës përputhet në mënyrë perfekte me fjalët që shqiptohen, pa vonesa apo deformime, ndërsa audio është e pastër dhe në harmoni të plotë me skenën.
Në disa skena të videos, shfaqen situata të ndryshme: nga një vajzë në bregdet me detaje të qarta të fytyrës, te momente të përditshme si përgatitja e kafesë, ku edhe tingujt e ambientit sinkronizohen natyrshëm me lëvizjet.
Ky zhvillim tregon qartë se krijimi i videove po ndryshon rrënjësisht. Mjafton një ide ose një imazh, dhe AI mund ta kthejë në një video që duket sikur është xhiruar në jetën reale.
Në këtë ritëm, shumë shpejt do të bëhet edhe më e vështirë të dallosh nëse një video është reale apo e krijuar nga Inteligjenca Artificiale.