Sezoni turistik po afron dhe Vlora përgatitet të presë mijëra pushues vendas e të huaj. Por përtej fasadës së një qyteti bregdetar në zhvillim, realiteti në terren tregon një tjetër pamje: rrugë të amortizuara, gropa të rrezikshme dhe segmente të tëra të lëna në harresë.
Qytetarët dhe vizitorët po përballen çdo ditë me infrastrukturë problematike, ku lëvizja bëhet jo vetëm e vështirë, por edhe e rrezikshme. Në disa zona, pas ndërhyrjes për rregullimin e kanalizimeve, rrugët duken të shkatërruara, pa asnjë ndërhyrje serioze për riparim, ndërsa në të tjera, punimet e nisura kanë mbetur përgjysmë, duke krijuar më shumë kaos sesa zgjidhje.
Ironia qëndron në faktin se një nga destinacionet më të promovuara turistike në Shqipëri rrezikon të japë përshtypjen e parë më negative pikërisht për shkak të infrastrukturës bazë. Për turistët që vizitojnë për herë të parë Vlorën, rrugët e dëmtuara janë kontakti i parë me qytetin, dhe shpesh, ai që lë shijen më të keqe.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente dhe një plan konkret për rehabilitimin e infrastrukturës, përpara se sezoni të jetë në kulm dhe problemet të shumëfishohen. Sepse mikpritja nuk matet vetëm me detin dhe diellin, por edhe me kushtet bazë që i ofron një qytet.