Një qytetar nga zona e Dukagjinit ka reaguar pas ngjarjes së fundit tragjike, ku një burrë dhe një grua u vranë në Lezhë për motive që lidhen me hakmarrjen.
Në mesazhin e tij, qytetari Abedin Bajraktari shpreh shqetësimin e thellë për përhapjen e akteve të tilla, duke theksuar se vrasjet për motive hakmarrjeje nuk sjellin zgjidhje, por vetëm rëndojnë situatën dhe pengojnë zhvillimin normal të shoqërisë.
Për këtë fenomen që e ka përjetuar vetë, qytetari ka përgatitur një shkrim për hakmarrjen dhe ndikimin e kanunit, me synimin për të nxitur reflektim dhe ndërgjegjësim në shoqëri. Ai shpreson që përmes këtij reagimi të inkurajohen edhe të tjerë të distancohen nga praktika të tilla dhe të kontribuojnë për një të ardhme më të sigurt.
Shkrimi i plotë:
Kur Falja Fiton Mbi Gjakun
Përshëndetje miqtë e mi të dashur.
Sot dua të ndaj një histori timen me ju, të ndodhur 17 vite më parë.
Unë jam një djalë Dukagjini, vij nga malet e thella, aty ku ende flet pushka e kanunin e kemi për Zot!
Po bëhen 17 vite që kur e varrosa vëllain tim të vetëm.
Mbas një ngatrrese mes vëllait dhe një bashkëvendasi tim për arsye prone, që ne malsorët e quajmë të shenjtë, vëllai e pagoi me jetë!
Dorasi u arrestua, sipas ligjit shtetëror ai u dënua me 27 vite burg.
Unë në atë kohë isha ende i ri. Vëllai që u qëllua për vdekje nuk iu rezistoi plagëve të marra; ai ndërroi jetë pak minuta pasi e transferuam në spital!
Sipas kanunit, atë e varrosëm me traditat malsore.
Babai ishte i moshës së thyer, nëna me gjithë vuajtjet e hallet që kemi ne malsorët, asaj iu shtua edhe kjo mërzi aq e madhe sa vështirë t’i përballojë!
Dorasi kërkoi besë; në fillim as që deshëm të ndijmë. Familja e tyre ishte trembëdhjetë anëtarëshe, u ngujuan të gjithë ashtu siç e do zakoni!
Vitet kalonin e gjendja sa vinte e vështirësohej si për dorasin, ashtu edhe për ne!
Unë shkoja në studime, derisa nuk ndjehesha i qetë shpirtërisht; diçka më bezdiste përbrenda!
Një ditë, me një mikun tim që pinim kafe bashkë, më pyeti se çfarë mendimi kam për dorasin: të hakmerrem apo ta fal?!
Më pyeti nëse kisha dëgjuar për pajtimin e gjaqeve që u mbajt në Kosovë rreth viteve të nëntëdhjeta?!
Më shpjegoi të tërën, rastet nga më të rëndat, që ndoshta në kushte normale vështirë se do u falnin gjakun, por ata e bënë, e falën sepse ishin vërtet burra.
Ishin po ata që vinin nga rrethet e ndryshme të Kosovës e nga vetë Dukagjini. Atyre, përveç se u priu rinia, udhërrëfyes e kishin të pavdekshmin profesorin Anton Çeta, i përcjellë me dhjetëra intelektualë e klerikë fetarë që nuk i dallonte feja, por i lidhte gjaku, gjuha, entuziazmi dhe dashuria për të kontribuar në këtë madhështi të shenjtë siç na mësoi Zoti, Bibla e Kur’ani: se jetën e njeriut nuk ka të drejtë askush t’ia marrë, përveç Atij që e ka krijuar!
Më tregoi edhe qindra e qindra raste të tjera të ngjashme. Pyetje të ngjashme kisha edhe nga bashkëmoshatarët e mi, studentë e miq të ndryshëm!
Një ditë, me të kthyer në shtëpi, u ula pranë prindërve të mi. U hyra në mes, i përqafova me aq dashuri e dhimbje të madhe; ngadalë më rridhnin lotët.
Nëna më diktoi se diçka nuk isha mirë. Ahh, sa vështirë e pata t’ua tregoj. Trupi më dridhej, zemra filloi me rrahje të shpeshta, por vendosa t’ua them:
Babë, nanë… Sokoli u vra. Kanë kaluar shumë vite, por as ju, as unë nuk po mund të pajtohemi me mungesën e tij.
Familja e Vukajve mbetën të ngujuar, hasmi mori dënimin e merituar. Tani juve sa ju ka lodh pleqëria, po aq edhe mërzia. Unë e di se vendin e Sokolit nuk mund ta zë.
Babë, ti e di se na kanë ardhur në shtëpi shumë njerëz, si për ngushëllime ashtu edhe për besë e për lutje me ua fal gjakun!
Sokoli është djali juaj, vëllai im i madh që e kisha edhe krahun e djathtë dhe jo vetëm…!
Ndoshta po bëj gabim që po ua them, se as unë nuk dua t’i thyej rregullat e kanunit.
Tani unë jam djali juaj i vetëm. Ju vetë më këshilluat të shkollohem; në mësime jam student i shkëlqyer, por rehatinë e jetës nuk po e gjej dot.
Të gjithë më njohin dhe e dinë punën tonë. Unë jam lidhur me një vajzë që së shpejti do ta njihni edhe ju, e me të cilën po mendoj të krijoj familje!
Kam rënë në hall të madh: si mund të vazhdojë jeta kur jemi mes vrasjes dhe faljes?
Kam lexuar shumë, kam dëgjuar me qindra e mijëra raste, por kam ardhur në përfundim se hakmarrja nuk i ka sjellë të mira askujt!
Babë, ti e di se qindra familje janë shkatërruar, madje shumë prej tyre janë shuar.
Po vritemi për një copë tokë që nuk po e gëzojmë as ne, as vrasësi!
Babë, këtu mbi këtë dhe që na ka krijuar i madhi Zot, kemi ardhur me shijuar, me parë se çka është kjo jetë, sa vlerë ka e si dimë me jetësu!
E kam lexuar diku një strofë poezie të një poeti Dardan ku thotë:
Ndaç me kënë burrë me za,
Fale hasmin, prano për vlla!
Ndaç me Zotin me kënë mirë,
Dhuro paqe, ku gjen qetësinë!
Babë, mendoj se koha ka ardhur me vendos…?!
— Dëgjo bir, më jep pak kohë të mendoj.
Pas ca javësh, me gjithë vështirësitë që përjetuan prindërit e mi dhe bashkë me ta edhe unë, babai tuboi burrat e fshatit.
I pranishëm ishte edhe prifti.Unë ftova ca kolegë të mi dhe tre profesorë.
Mu aty, në kullën prej guri që e kishim trashëgim prej gjyshi, vendosëm që familja e Vukajve të jetojë e lirë.
Me këtë rast, babai ia shtriu dorën e pajtimit vëllait të dorasit.
Të gjithë me lot në sy, sa dhimbje po aq edhe gëzim, se dy familje thyen tabunë kanunore dhe u vëllaznuam përsëri!
Miqtë e mi të dashur, ju lutem të më falni për këtë përjetim kaq të rëndë që mu krijua qysh i ri, por mendoj se kemi bërë një punë të madhe për të dyja familjet.
Ia hapëm rrugën jetës e lirisë, pasardhësve tanë, dhe lutem e uroj të mos ndodhin vrasje të tilla ndër shqiptarë!
Me këtë rast po ju bëj thirrje të gjithë atyre familjeve që janë në hasmëri: ju lutem, ju lutem, e di se e keni të vështirë, por nëse sado pak mendoni për fëmijët tuaj, për më të dashurit e pasardhësit tuaj, ju lutem gjeni forcën, mënyrën që t’ua falni gjakun, e të shkollohet rinia.
Që këtë shtet, këtë tokë që na bekoi Zoti me të, na e bëri dhuratë, ta gëzojmë të lirë, të shëndetshme e me dashuri!
Ishte kënaqësi dhe lehtësim shpirtëror që ndava me ju këtë ngjarje të rëndë por që rezultoi me sukses!
Zoti ju bekoftë juve e gjithë familjet tuaja!
Me respekt e dashuri,
Për ju,
Abedin Bajraktaraj