Policia e Vlorës ‘zbuloi’ kantierin pas publikimit në JOQ, meritat i mban për vete

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 27.04.2026, 14:38

Ditën e shtunë, redaksia e JOQ Albania publikoi denoncimin e një qytetareje për një ndërhyrje të dyshimtë në bregdetin e Radhimës, ku një ndërtim kishte avancuar brenda vijës bregdetare. Një rast që, në kushte normale, duhet të ishte evidentuar dhe ndaluar menjëherë nga institucionet përgjegjëse.

Por reagimi erdhi vetëm pasi rasti u bë publik.

Pas publikimit, forcat e rendit mbërritën në kantier, duke konstatuar se shtetasi B.M. po ndërtonte pa leje dhe se objekti nuk ishte pjesë e projektit të lungomares. Megjithatë, në njoftimin për mediat, Policia e Vlorës e paraqiti ndërhyrjen si rezultat të “punës së palodhshme” të saj.

Një formulim që bie në sy, sidomos kur ndërhyrja ndodhi vetëm pas publikimit të medias.

Bëhet fjalë për të njëjtën polici vendore që drejtohet nga Elidon Çela, ndaj së cilës janë ngritur vazhdimisht kritika për mungesë reagimi në raste të tjera më të rënda, si zhdukje, plagosje apo shpërthime me tritol. Megjithatë, në këtë rast, reagimi erdhi i shpejtë, por vetëm pasi denoncimi u bë publik.

Është e njejta polici dhe IMT e korruptuar ku pak kohë më parë në kodrën e Milfolit, lejoi dëmtimin e territorit për interesa private, të lidhura me kompaninë 2A Group dhe biznesmenin Valon Ademi, kompani e cila rezulton aksionere edhe në aeroportin e Vlorës. Edhe në atë rast, institucionet u akuzuan për mungesë reagimi në kohë.

Në këtë klimë mosbesimi, shtohen edhe akuzat për censurë dhe përpjekje për të minimizuar rolin e medias në denoncimin e rasteve të tilla pasi nuk është hera e parë që jo kjo polici përpiqet të censurojnë. Thirrjet drejtuar drejtuesve vendorë të policisë janë të qarta: transparencë, përgjegjshmëri dhe ndalimi i praktikave që synojnë të zbehin rolin e informimit publik.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit